Femrat ndriçojnë Arenën Kombëtare, por fusha është për alarm!

I parë nga jashtë, interesimi ishte i madh. Disa qindra tifozë mësynë Arenën Kombëtare, në ndeshjen e parë që iu dha mundësia të ndiqnin aty, një përballje zyrtare, por edhe simbolike, mes dy ekipeve të femrave, Vllaznisë dhe Apolonisë. E vërteta ishte paksa më ndryshe, ajo që në tribuna kishte një numër modest spektatorësh, edhe pse vajzat e të dyja skuadrave bënë maksimumin për t’i argëtuar.

Përtej rezultatit, fitore e vështirë dhe e merituar e shkodraneve, pati një shqetësim. Fusha krijoi alarm, pasi pjesa e saj pranë portës jugore nuk e përballoi siç duhet sfidën e parë. Mjaftuan disa përplasje, disa duele dhe rrëshqitje të lojtareve për të krijuar dëmtime në tapetin e saj, diçka që të bën të mos ndihesh mirë, sidomos kur mendon se të dielën e ardhshme aty do të luajnë djemtë.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bënë me dijë se një ditë para ndeshjes pati sërish përpunim të detyruar të barit. Po ashtu, duke nisur nga fillimi i javës, pjesa jugore e tapetit do t’i nënshtrohet një trajtimi me ndriçim të nxehtë, pasi aty do të vendosen llampa të fuqishme për ta bërë gati për Francën. Në Federatë ishin optimist që në 17 nëntor, fusha do të jetë shumë herë më e mirë sesa gjatë testimit. Problemi me barin nuk pritet të pengojë zhvillimin e ndeshjes së Europianit, dhe burimet në Federatë garantuan se UEFA e ka dhënë lejen plotësisht.

Duke u kthyer tek ndeshja, Vllaznia fitoi 2-0 me gola të shënuar nga mbrojtësja Arbiona Bajraktari, dhe nga Esi Lufo, që të dyja në pjesën e dytë. Testi në Arenën Kombëtare përfundoi në përgjithësi mirë, ndonëse ende kishte mjaft punime për t’u mbyllur. Shqetësim më vete është siguria, pasi punonjësit privatë nuk ishin të kënaqur nga bashkëpunimi me Policinë e Shtetit. Plot 350 agjentë do të jenë ndaj Francës, por sërish duken pak.

Sfidanti.al