Krizë e Ronaldos, por gol i Dibalës, Juventusi kthehet në krye!

Duhej të kishte dhënë një përgjigje pas zëvendësimit në Champions, por i ndodhi edhe më keq. Një javë për t’u harruar për Kristiano Ronaldon, ndonëse aspak për Juventusin e Mauricio Sarrit. Fitore minimale, por gjithsesi fitore, ndaj Milanit dhe rikthim në krye të renditjes së Serisë A.

Autori i golit? Kush tjetër përveçse “shemra” e Ronaldos, dhe “makthi” i Milanit, Paulo Dibala. Argjentinasi, ende jo aty ku dëshiron të jetë, hyri në fushë si zëvendësues pikërisht i CR7-ës, dhe realizoi golin e vetëm të ndeshjes. “Shënova me të djathtën pasi ishte e vetmja mënyrë për të shënuar”, – u shpreh ai pas ndeshjes. Juventusi luajti padyshim më mirë dhe suksesi ishte i merituar, edhe pse shumë i vështirë dhe i arritur vetëm 13 minuta para fundit. Me 32 pikë, kampionët janë 1 pikë mbi Interin, ndonëse shqetëson numri i vogël i golave të shënuar. Vetëm 20, në krahasim me 26 të zikaltërve, 28 të Lacios, 23 të Kaljarit dhe 30 të Atalantës.

Po Ronaldo si ndihet tani? “La Gazeta delo Sport” shkruan se zëvendësimi i tij mund të quhet një “rast”, pra një konflikt potencial mes portugezit dhe trajnerit. Mauricio Sarri nuk bëri polemika në mbyllje të duelit. “Ronaldo ishte i zemëruar dhe unë e kuptoj, – tha ai, – madje e falenderoj për kontributin dhe qendrimin që mban”. Gjithsesi, Kristiano u largua nga stadiumi ende pa u mbyllur ndeshja, një shenjë jo edhe aq e mirë.

Sfidanti.al