UEFA, përse duhej bërë skandal për të futur Ronaldon në ekipin e vitit?!

Një skandal i vërtetë që vë në dyshim integritetin. UEFA ka ndryshuar skemën e formacionit më të mirë të vitit 2019, dhe kjo për të mos lënë jashtë Kristiano Ronaldon. Drejtuesit e organizatës, dhe ata që u morën me këtë çmim, mësohet se nuk respektuan vullnetin e publikut, duke lënë jashtë lojtarin e Çelsit, N’Golo Kante, që mori më shumë vota sesa portugezi i Juventusit.

Me skemën e zakonshme 4-3-3, Ronaldo do të kishte mbetur jashtë, sepse ai mori më pak vota se Lionel Mesi, Sadio Maneja dhe Robert Levandovski, që do të formonin treshen e sulmit. UEFA bëri ndryshimin në skemën 4-2-4, për të vendosur në fushë katër sulmues, pra për të përfshirë edhe Ronaldon. Në 6 vitet e fundit UEFA përdori gjithmonë skemën 4-3-3, me përjashtim të 2017-ës kur vendosi për 4-4-2, por 4-2-4 nuk ka qenë asnjëherë një formacion klasik.

Një zëdhënës i UEFA-s, sqaroi se ndryshimi i skemës u bë për të vlerësuar arritjen e Portugalisë që fitoi Ligën e Kombeve, duke pasur si kapiten pikërisht Kristiano Ronaldon, lojtarin që shënoi 3 gola në gjysmëfinalen ndaj Zvicrës.

Lojtari që mori më shumë vota ishte Lionel Mesi, që arriti nivelin e 2 milionë pëlqimeve nga tifozët në Europë, ndërsa në formacionin e vitit ishin portieri Alison, mbrojtësit Aleksandër-Arnold, De Ligt, Van Dajk e Robertson, mesfushorët De Jong e De Brujn, si dhe sulmuesit Ronaldo, Mesi, Levandovski e Mane. Liverpuli, kampion i Europës, pasi 5 lojtarë, më shumë se çdo ekip tjetër.

Sfidanti.al