Një humbje që djeg për Lejkërsat, Orlando i mposht në LA!

Që nga Krishtlindjet nuk e provonin këtë shije, por gjithnjë vjen një ditë. Lejkërsat e Lebron Xhejmsit pësuan humbjen e parë që nga 25 dhjetori i vitit të kaluar, madje brenda në Los Anxhelos, dhe ishte hera e parë këtë sezon që u mposhtën nga një ekip me bilanc negativ në NBA, që do të thotë nga një ekip që ka më shumë humbje sesa fitore. Orlando Mexhik bëri mrekullinë në “Stejpëlls Sentër” edhe pse ngushtësisht, 119-118, duke shpërdoruar një epërsi 21-pikëshe.

Miqtë u udhëhoqën nga Markel Fulc që realizoi tripëll dabëllin e dytë në karrierë, me 21 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë. Aron Gordon pati 21 pikë, po aq sa Nikola Vuçeviç. Nuk bëri punë për Lejkërsat paraqitja e mirë e Lebron Xhejmsit, ndonëse jo e shkëlqyer. Lebroni shënoi 19 pikë, kapi 3 topa në tabela dhe barazoi rekordin e karrierës me 19 asistë. Gjithsesi, ai shënoi më pak se zakonisht dhe gaboi shumë në gjuajtje (2 për 9, për tri pikë), ndërsa Entoni Dejvis nuk luajti sërish. “Liqenasit” kanë 33 fitore e 8 humbje, në krye të Konferencës Perëndimore.

Sfidanti.al