Lukaku, Sançez, Zhiru, Eriksen e Jang, një Inter “anglez” për Konten!

Në verë bëri lëvizjet e para, dhe solli në skuadër muskuj, shpejtësi dhe agresivitet. Cilësi këto që bëjnë diferencën në Serinë A, dhe që menjëherë u ndjenë tek Interi i Antonio Kontes. Trajneri italian, i pasuruar nga përvoja e tij dyvjeçare tek Çelsi, këmbënguli dhe duket se tani në janar po e forcon ekipin edhe me 3 “importe” të tjerë nga Premier Liga, Olivie Zhiru, Kristian Eriksen dhe Eshli Jang.

Një ndryshim jo i vogël për Konten, që ishte fitues “serial” në futbollin italian, si lojtar dhe si trajner me Juventusin. Sot, ai vlerëson “emigrantët” nga Anglia si “lëndën e parë” më të mirë për të thyer dominimin e “Zonjës së Vjetër”. Realiteti po i jep të drejtë, pasi Interi është shumë pranë Juves në krye të renditjes së Serisë A dhe vlerësohet se me afrimin edhe të 3 lojtarëve të tjerë, do të ketë edhe më shumë shanse për të marrë “skudeton”, që do të ishte i pari për zikaltërit që nga fitorja e fundit e Zhoze Murinjos në 2010.

Sfidanti.al