Zllatko Daliç, suksesi i fenomenit kroat që nisi në Shqipëri!

Nuk e mori njeri shumë seriozisht në atë kohë. Një trajner 42-vjeçar kroat që ulej në stolin e Dinamos nuk i thoshte ndonjë gjë të madhe, pra as ky me emrin Zllatko Daliç. Duket si një përrallë nga e kaluara kjo histori e vitit 2008, veçse është e vërtetë që njëri nga trajnerët më të mirë të botës në katër vitet e fundit, drejtoi ish-kampionen e Shqipërisë, dhe fitoi Superkupën, por nuk e pati të gjatë jetën profesionale këtu. Dha dorëheqjen për rezultate jo të kënaqshme, dhe në largim e sipër bëri edhe një qortim për mentalitetin e futbollit shqiptar.

“Do të kisha dashur të ndryshoja mentalitetin e lojtarëve të Dinamos, – tha ai, – . Do të kisha dashur t’i mësoja më mirë të luanin futboll. U duhet më shumë guxim, të stërviten më shumë, të kenë mentalitet fituesi, por nuk fiton dot kur mendon për ndeshjen vetëm ditën që ajo luhet”. Gjithsesi, Daliç nuk u shkëput dot aq lehtë nga ne. Vetëm disa muaj më vonë, ai ishte një nga kandidatët për trajner të kombëtares dhe madje mbërriti në Tiranë për të biseduar me Dukën, ndërsa mbante postin e teknikut të Kroacisë U21.

Në vendin e tij arriti suksese me Varteksin, ndërsa më pas karriera i mori për mbarë në Lindjen e Mesme. Në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Daliç fitoi tituj me Al Faisalin, Al Hilalin dhe Al Ainin. Historia e mëvonshme është mjaft e njohur. Ish-trajneri i Dinamos së Tiranës u emërua në stolin e Kroacisë në 2017 duke arritur suksesin më të madh në historinë e kombëtares në Kupën e Botës në Rusi një vit më vonë, me arritjen në finale. Ky triumf synohet sërish në Katar. Tifozët janë në ekstazë që Kroacia eliminoi Brazilin, ndërsa Daliç dhe lojtarët e tij po përgatiten për gjysmëfinalen e madhe ndaj Argjentinës.

Sfidanti.al