Zllatan çfarë të ndodhi? Përse humbe 95 për qind të rrogës?!

Nuk përfundoi vetëm ëndrra për karrierën në nivel të lartë apo për të fituar një ditë Championsin. Për Zllatan Ibrahimoviçin përfunduan kohët kur ai tregonte me krenari llogarinë e tij bankare, ose saktësisht çekun e pagës që merrte nga klubet e tij të shumtë e të mëdhenj. Kjo, pasi sot tek Los Anxhelos Galaksia nuk mund të përfitojë aspak shifrat që merrte tek Juventusi, Interi, Barcelona, Milani, Paris SG apo Mançester Junajtid.

Gjithsesi, rënia ishte një “pikiadë” e vërtetë. Mediat amerikane raportojnë se Ibra fiton tek Galaksia vetëm 1.2 milionë euro në vit, dhe kjo jo vetëm sepse liga amerikane nuk jep dot rrogat e ligave europiane, por edhe sepse rregullat e federatës janë shumë të forta. Zllatani mund të merrte maksimumi 3.2 milionë euro në vit, por këto rroga janë “zënë” nga futbollistë të tjerë dhe nuk mund të jepen më.

Tek Mançester Junajtid, suedezi me origjinë boshnjake fitonte (sipas burimeve jozyrtare) 21.8 milionë euro në sezon, pra ulja është plot 95 për qind! Ky duhet të jetë rekord botëror, pasi nuk besohet që një futbollist të ketë zbritur brenda pak javëve në vetëm 5 për qind të asaj që fitonte më parë.

Sfidanti.al