Bajerni kërkon pasardhësin e Manuel Nojerit në … Kroaci

Bajerni kurrë nuk ka qenë pa portier, por gjigandët bavarezë gjithnjë kanë qenë në lëvizje për të mos e humbur rastin. Për momentin, kampionët e Gjermanisë kanë Manuel Nojerin (që pritet të kthehet këto ditë nga dëmtimi), si edhe Sven Ulrajhun, që po shkëlqen në mungesë të titullarit.

Gjithsesi, në “shënjestrën” e Uli Hënesit, Rumeniges apo Salihamixhiçit duket se ka rënë një pretendent fare i ri, vetëm 20 vjeç dhe që luan në Kroaci. Quhet Adrian Semper, dhe një stërstërgjysh i tij ka shkuar në Zagreb që nga Gjermania. Semper i përket Dinamos së Zagrebit, por është huazuar tek Lokomotiva ku po bën paraqitje të mëdha.

Agjenti i tij, Darko Alegiç pohon për mediat kroate (Nova TV) se ka pasur kontakte mes tij dhe Bajernit, ndonëse shton se ka edhe klube të tjerë që e kërkojnë gjigandin prej 1.94 metrash. Bajerni e ka për momentin një portier të ri, që quhet Kristian Fryhtl dhe është 18 vjeç, veçse duket se konkurrenca do të vijë duke u shtuar.

Sfidanti.al