Është bukur kur e mbyll sezonin me sukses. Kështu bëri Ylber Ramadani, mesfushori i kombëtares shqiptare, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Europë. Futbollisti 27-vjeçar do të jetë në Ligën e Konferencës me skuadrën e tij, Aberdinin, që doli në vend të tretë në Premier Ligën e Skocisë. Kjo u sigurua një javë para fundit, pas fitores 3-0 në shtëpi ndaj Sent Mirrenit, dhe Ramadani la gjithashtu shenjën e tij në këtë ndeshje. Futbollisti shqiptar nga Kosova shërbeu asistin për golin e tretë, dhe kjo ishte në vazhdën e kontributit që ka dhënë këtë sezon, ku numëron një gol dhe tre asiste në 36 ndeshje.
Aberdini u rendit i treti në kampionatin skocez, një rezultat i shkëlqyer, pasi asnjë skuadër nuk mund të pretendojë të lerë pas Sëlltikun dhe Rejnxhërsin, dy gjigandët e Gllazgout. Shpresa është që skuadra e Ramadanit të ketë sukses në Ligën e Konferencës për t’iu afruar sado pak epokës së lavdishme kur në stol ishte Sër Aleks Fergusoni, që fitoi edhe trofe europianë si Kupën e Kupave dhe Superkuën e Europës. Ramadani pati sukses në sezonin e tij të parë në Skoci, pasi ishte mjaft dinjitoz edhe në Danimarkë apo Hungari.
Sfidanti.al