Xhek Hendri, skocezi i panjohur që ndaloi Mesin, Nejmarin e Mbapenë!

Të kuptohemi, nuk i bllokoi që të tre njëherësh, dhe nuk ishte vetëm në fushë. Xhek Henri ishte mbrojtësi shtatlartë që ra në sy në barazimin 1-1 të Klub Bryzhit ndaj Paris SG në Champions, dhe madje meritoi çmimin e lojtarit të ndeshjes. Skocezi 26-vjeçar ka një shtatlartësi të admirueshme, prej 1.93 metrash, ndërsa nuk ka pasur fat në karrierë deri tani. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi që të bënte gjithçka mirë ndaj superyjeve Mesi, Nejmar e Mbape, që të tre së bashku marrin mbi 1.75 milionë euro në javë, apo rreth 92 milionë euro në vit (madje edhe më tepër). Hendri ishte i përpiktë në çdo ndërhyrje ndaj “magjistarëve”, ndonëse ka luajtur përgjithësisht për ekipe të vegjël dhe nuk besohets e merr më shumë se 1 milionë euro në sezon. Te Klub Bryzhi shkon 20 milionë euro borderoja e rrogave, dhe 26-vjeçari nuk besohet se mund të ketë ndonjë rrogë tepër të lartë sepse u mor nga brenda Belgjikës. Përveçse me Sëlltikun, ai ka luajtur me ekipe modeste si Peterborou, Dandi Junajtid, Partik Thisëll, Uigan, Shrusbëri, Milton Kejnes Dons, Dandi, sërish Sëlltik, Melburn Siti, Ostende dhe tani Bryzhi.

Sfidanti.al