Interi mund të ketë një investitor të ri. Sipas “Corriere della Sera”, zyra e investimeve Al Mirqab që lidhet me ish-kryeministrin e Katarit, Hamad bin Jasim bin Jaber Al Thani, ka shfaqur interes për blerjen e disa aksioneve të klubit zikaltër nga fondi amerikan “Oaktree”. Sipas raportimeve në Itali, palët kanë pasur kontakte paraprake, por për momentin nuk bëhet fjalë për negociata konkrete. 67-vjeçari është një figurë e njohur në botën e investimeve ndërkombëtare, ndërsa vitet e fundit ka forcuar ndjeshëm praninë e tij në Itali përmes pasurive të paluajtshme.
Interesi për klubin e Interit vjen në një periudhë kur projekti i stadiumit të ri mund të ndikojë në perspektivat ekonomike të zikaltërve. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kontaktet paraprake do të shndërrohen në një operacion konkret për hyrjen e investitorit nga Katari në aksionet e klubit.

