Carlos Valderrama, një prej futbollistëve më të dallueshëm të viteve ’90, ka surprizuar tifozët duke rruar kokën dhe duke hequr dorë nga modeli i flokëve kaçurrela që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës. Ish-ylli i kombëtares së Kolumbisë, tashmë 65 vjeç, ka vendosur t’i japë fund një prej tipareve më karakteristike të imazhit të tij. Këtë herë, ishte bashkëshortja e tij, Elvira Redondo, ajo që mori makinën e qethjes dhe i preu flokët legjendarë. Momenti i veçantë u publikua nga vetë Valderrama në Instagram, ku ai shoqëroi videon me mesazhin: “Njerëzit e mi, sot është dita”.
Përpara se të niste transformimi, bashkëshortja e pyeti nëse ishte gati për këtë ndryshim. Përgjigjja e ish-futbollistit, e shoqëruar me një gjest që tregonte pasiguri, ishte “pak a shumë”. Megjithatë, ai e përballoi me buzëqeshje procesin, deri në momentin kur pamja e tij ndryshoi plotësisht.
Redondo nuk i kurseu as batutat, duke komentuar se si do të reagonin nipërit dhe mbesat kur ta shihnin gjyshin pa flokët e tij të famshëm. Në fund, ajo e prezantoi me humor pamjen e re të bashkëshortit, duke e quajtur “Valderrama tullaci”.

