Çështja Antonelli-Minardi, gjykata urdhëron Mercedesin të zbulojë kontratat

Konflikti ligjor mes pilotit të Mercedesit, Andrea Kimi Antonelli, dhe ish-menaxherit të tij, Giovanni Minardi, ka hyrë në një fazë të re. Gjykata e Bolonjës ka urdhëruar Mercedesin dhe pilotin italian të dorëzojnë kontratat dhe dokumentacionin financiar që lidhet me marrëdhënien e tyre.

Mosmarrëveshja nisi pas ndërprerjes së njëanshme të marrëveshjes mes Antonellit dhe kompanisë Minardi Management, pasi piloti nga Bolonja firmosi me Mercedesin në vitin 2019.

Në seancën e fundit, Gjykata e Bolonjës pranoi kërkesën e palës së Giovanni Minardit dhe urdhëroi Mercedesin dhe Antonellin që deri më 6 nëntor të paraqesin një sërë dokumentesh. Mes tyre janë të gjitha kontratat e nënshkruara mes pilotit dhe skuadrës që nga fillimi i bashkëpunimit, si dhe dokumentacioni i plotë financiar për pagesat e kryera nga Mercedes ndaj tij.

Lajmin e bëri të ditur për agjencinë “LaPresse” avokati Mattia Grassani, i cili përfaqëson interesat e Minardit. Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm për të zbardhur marrëveshjet mes Antonellit dhe Mercedesit, si dhe për të përcaktuar shumat e përfituara nga piloti.

Kërkohen përqindje deri në vitin 2028

Giovanni Minardi pretendon se ndërprerja e kontratës së përfaqësimit ka qenë e paligjshme dhe kërkon përqindjen që parashikohej në marrëveshjen me Antonellin. Kërkesa e tij përfshin të ardhurat e përfituara deri tani, por edhe ato që piloti pritet të marrë deri në vitin 2028, kur përfundonte kontrata fillestare.

Sipas materialit të çështjes, Minardi kërkon një përqindje që llogaritet mes 10% dhe 20% të të ardhurave të Antonellit. Shuma mund të jetë e konsiderueshme, duke pasur parasysh se vetëm gjatë vitit 2025 piloti përfitoi më shumë se 10 milionë euro nga paga dhe bonuset.

Avokati Grassani theksoi se klienti i tij është i gatshëm të diskutojë një zgjidhje miqësore, por kërkon që të njihet roli i Minardit në zbulimin dhe zhvillimin e talentit të Antonellit.

“Giovanni Minardi ishte një nga protagonistët, për të mos thënë faktori vendimtar, në zbulimin dhe rritjen e Antonellit”, deklaroi avokati.

Megjithatë, palët duket se janë ende larg një marrëveshjeje. Nëse negociatat dështojnë, procesi gjyqësor do të vazhdojë. Seanca e radhës është caktuar për 19 nëntor, kur dokumentacioni i kërkuar mund të ndihmojë në përcaktimin më të qartë të pretendimeve financiare dhe të hapë rrugën për një propozim pajtimi.