A do të kishte vend tek Junajtidi për Ronaldon, nëse do të vinte Konte?!

Shumëkush mezi po pret që të ndodhë, madje po vë bast se kështu do të jetë. Një trajner i vërtetë si Antonio Konte mund të jetë njeriu i stolit në “Old Traford”, ndërsa pozitat e Ole Gunar Solskjerit po lëkunden (të paktën përkohësisht) pas humbjes në Champions me Jang Bojsin. Kaq e madhe ishte tronditja e disfatës 1-2 në Zvicër saqë mediat sportive angleze nuk kanë temë më kryesore sesa kritikat për norvegjezin, ndërsa del edhe lajmi se Konte ka thënë se “do të isha i hapur nëse Mançester Junajtidi do të më kërkonte”. Italiani, i larguar në maj nga Interi pasi fitoi titullin, është pushim ndërsa hodhi poshtë kërkesën e Totenhemit, si edhe të Arsenalit. Pyetja është nëse një lojtar si Kristiano Ronaldo të kishte vend në skemat e Kontes, duke pasur parasysh se ai është një trajner “diktator”, që kërkon lojtarë që sakrifikohen për ekipin, jo për synime individuale? Po ashtu në dyshim do të vihej edhe Pol Pogba, gjithnjë nëse nuk do të luftonte aq shumë në mbrojtje.

Sfidanti.al