Union Berlin në “botën e çudirave”, në Bundesligë për herë të parë!

Fundi i sezonit ka festa dhe dëshpërime. Në futbollin gjerman, nuk mund të mendosh gjë më emocionuese sesa suksesi i madh i Unionit të Berlinit, klubit modest që u ngjit në Bundesligë për herë të parë në historinë e tij. Triumfi krijoi entuziazëm të jashtëzakonshëm tek mijëra tifozët në stadium, dhe u arrit pas dy ndeshjeve tepër të forta ndaj një emri të madh, si Shtutgarti.

Unioni barazoi 2-2 në fushën e Shtutgartit, duke hedhur hapin e parë të madh drejt realizimit të ëndrrës, dhe pastaj përballoi presionin në shtëpi, duke u kualifikuar me gola të shënuar në fushë kundërshtare. Ndeshja e dytë përfundoi 0-0 dhe i dha fund një pritjeje gati 30-vjeçare.

Kremtimet ishin të mëdha në impiantin e quajtur “Stadiumi pranë shtëpisë në rojtarit të vjetër të pyllit”, diçka vërtet tepër origjinale. Tifozët ishin tepër krenarë për skuadrën e tyre, ekip dikur i njohur në ish-Gjermaninë Lindore, por që kaloi peripeci të mëdha në Gjermaninë e Bashkuar. Skuadra ku bën pjesë edhe lojtari me origjinë shqiptare Erol Zejnullahu, ia doli me një buxhet të vogël prej vetëm 47 milionë eurosh, ndërsa rivali që pati përballë, Shtutgarti, kishte buxhet mbi 150 milionë euro.

Gjithsesi, siç i takon traditës dhe kulturës gjermane, edhe tifozët e Shtutgartit pranuan humbjen sportivisht, dhe u shprehën krenarë dhe me shpresë për sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al