Lojtarë shumë të mirë, por shqipja sa e vështirë, Reja flet për Europianin!

Puna e vërtetë nis tani. Është i bindur për këtë Edoardo Reja, ndërsa trajneri i Shqipërisë nxjerr listën për ndeshjet e Europianit, dhe komenton zgjedhjet e tij. Janë dy përballje të rëndësishme, ndaj Islandës e Moldavisë, dhe me pak kohë në dispozicion, por italiani nuk i dredhon përgjegjësisë.

“Objektivi është i qartë, e dini që të gjithë, të arrijmë në Europian, – shprehet ai, – Janë 5 skuadra në grup, 2 të para kualifikohen. Do të mundohemi të rregullojmë mbrojtjen dhe më pas të kalojmë tek sulmi. Çdo lojtar duhet ta ketë të qartë objektivin, para se të vijë në Kombëtare. Kam folur edhe me djemtë. Lojtarët që vijnë këtu duhet ta ndjejnë këtë skuadër. Nga përvoja e di se mund të kesh probleme teknike, por nëse krijon një grup të mirë, dhe nëse je pozitiv kur del në fushë, edhe kur ke përballë një skuadër superiore, rezultati ndodh që ndryshon”.

Gjatë këtyre ditëve, Reja bëri shumë prova, vëzhgoi lojtarë të rinj, ndërsa lista duket pak a shumë ajo që ka qenë në të kaluarën. “Në listë janë 18 lojtarë që kanë qenë me De Biazin, po ashtu janë dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë me Panuçin, – pohoi ai, – Më duhet kohë që të bëj vlerësimin e duhur. Kam parë të rinj, kam parë 4 lojtarë të Partizanit dhe janë lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer. Vrionin e kam parë, por më pas e ktheva, pasi nuk kishte gjendjen e duhur. Tani për tani kam një listë me 35 lojtarë që unë po i ndjek. Koha është shumë e shkurtër, ndaj vendosa të marr ata lojtarë që kanë qenë më përpara”.

Trajneri duket se e njeh mirë kombëtaren shqiptare, pasi flet me siguri për skemat që do të përdorë. “Unë do të luaj me dy sulmues, diçka që ndoshta nuk është bërë shpesh në kombëtare, – tregoi Reja, – Nuk është se dua të bëj lojë sulmuese, por dy sulmuesit duhet të jenë mbrojtësit e parë kur humbasim topin. Loja varet nga situatat dhe nga koncepti që krijohet tek skuadra. Do të bëj më shumë skemën 3-5-2, sepse kemi lojtarë krahu, që mund ta bëjnë këtë skemë. Ose mund të luajmë më 4-3-1-2. Këto janë skemat që i përshtaten më mirë kësaj skuadre.

Në ekip mungon një mbrojtës i rëndësishëm i Gjimshiti i Atalantës, po ashtu Endri Çekiçi nuk është thirrur. “Gjimshiti operohet sot, – dha ai lajmin e keq, – Ai ka luajtur i dëmtuar këto javë se Atalanta kishte mungesa. Në vjen keq se Gjimshitin e kam marrrë unë tek Atalanta dhe këto dy ndeshje nuk do ta kem. Ndërsa Çekiçin unë e kam parë, por duhet të bëjë zgjedhje, pasi kisha 4 lojtarë të tjerë në atë pozicion. Por, kjo nuk është lista përfundimtare”.

Reja ngacmohet për faktin se atmosfera në ekip duket shumë e mirë, ndryshe nga më parë. “Tani për tani lojtarët janë të lumtur, kanë shpresë, aq më tepër që ka pasur një ndryshim, ka ardhur një trajner i ri, – tha ai duke qeshur, – Mezi presin që të nisin punën dhe të tregojnë veten. Unë, si trajner, duhet të arrij shpejt që të krijoj skuadrën e duhur. Nuk kemi shumë kohë dhe ndeshjet janë afër. Mendoj se kjo skuadër ka cilësi, ka lojtarë mjaft të mirë, edhe pse në shumë ndeshje të kaluara nuk ka treguar ekuilibër. Gjithsesi, këta janë lojtarë shumë të mirë, dhe unë i kam parë në skuadrat e tyre”.

Një tjetër ngacmim kishte të bënte me gjuhën shqipe, sa e kupton atë trajneri? “Kam qenë shumë i vëmendshëm, por nuk kam arritur të kuptoj asnjë fjalë që keni thënë ju, – pranoi italiani me sinqeritet, – Nuk më ka ndodhur kurrë, pasi kur kam dëgjuar gjuhët e tjera, gjermanisht, anglisht, sllovenisht, kroatisht, kam kuptuar diçka, ndërsa në shqip, jo. Si ka mundësi të ndodhë kjo? Duket se është një gjuhë tepër e veçantë, nuk po mundem të orientohem. Mesa duket, duhet të nis të studioj fort”.

Reja ka thirrur 29 lojtarë, dhe numri do të ulet kur të dalë lista përfundimtare.  Risi në kombëtare janë mbrojtësi 19-vjeçar Marash Kumbulla, që luan në Itali me Veronën, dhe mesfushori Kristi Qose që luan në Sllovaki. Kombëtarja luan në 8 qershor në fushën e Islandës, dhe në 11 qershor pret Moldavinë në “Elbasan Arena”, për eleminatoret e Europianit.

Sfidanti.al