Lista e Rejës për Europianin, pa Gjimshitin, por me rikthime të rëndësishme!

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, ka shpallur listën paraprake të lojtarëve për ndeshjet eleminatore të Europianit ndaj Islandës dhe Moldavisë. Italiani ka thirrur gjithsej 29 futbollistë, ndërsa pritet që numri të ulet, kur të dalë lista përfundimtare. Bie në sy se ka vetëm dy lojtarë nga Superliga shqiptare, portierët Hoxha i Partizanit dhe Selmani i Laçit.

Po ashtu, është kapiteni Mërgim Mavraj, që nuk mund të luajë në ndeshjen ndaj Islandës, por që kthehet ndaj Moldavisë, pasi përfundon pezullimin prej 3 takimesh. Risi në kombëtare është mbrojtësi Marash Kumbulla, që luan në Itali me Veronën, dhe që ka moshën 19 vjeç. Po ashtu, edhe mesfushori Kristi Qose që luan në Sllovaki.

Në ekip kthehen lojtarë të tillë si Lenjani, Ramadani apo Balliu, të cilët ishin lënë jashtë nga ish-trajneri Panuçi. Kombëtarja luan në 8 qershor në fushën e Islandës, dhe në 11 qershor pret Moldavinë në “Elbasan Arena”, për eleminatoret e Europianit.

Portierë: Berisha, Hoxha, Selmani; Mbrojtës: Aliji, Hysaj, Ismajli, Ajeti, Kumbulla, Balliu, Veseli, Mavraj, Binaku, Dermaku, Mihaj; Mesfushorë: Abrashi, Basha, Memushaj, Kaçe, Ndoj, Qose, Xhaka, Ramadani, Lenjani; Sulmues: Sadiku, Uzuni, Balaj, Cikalleshi, Grezda, Roshi.

Sfidanti.al