Ua ka thënë në sy dy njerëzve kryesorë të klubit, dhe ka marrë dy përgjigje negative. Florentino Perez, ashtu si Zinedin Zidan, e di tashmë “nga dora e parë” se Sergio Ramos dëshiron largimin nga Reali, madje që këtë verë. Kapiteni 33-vjeçar e paska kërkuar një gjë të tillë, në mënyrë të prerë dhe të qartë. “Dua të largohem për ta vazhduar karrierën diku tjetër”, – mësohet se paskan qenë fjalët e tij.
Presidenti Perez, thuhet se është përgjigjur me fjalët: “Reali nuk mund të lejojë kapitenin të largohet, ti nuk mund të ikësh”. Edhe Zidan ka theksuar se ka nevojë për mbrojtësin e qendrës në skuadrën e vitit të ardhshëm. Ramosi ka një klauzolë transferimi prej 800 milionë eurosh në kontratën e tij, por pak besohet që kjo ta pengojë, po aq sa pengoi Kristiano Ronaldon klauzola prej 1 miliardë eurosh.
Thjesht, duhet pritur për të parë nëse kapiteni madrilen e ka seriozisht, sepse nëse do të jetë kështu, asgjë nuk do ta ndalojë që të largohet. Ramosi ka 13 vjet tek Reali duke fituar 4 tituj kampion, 4 Champions, si dhe shumë trofe të tjerë. Liverpuli, Juventusi apo Mançester Junajtid thuhet se e duan, po ashtu si dhe klube nga Kina.
Sfidanti.al