Sulmohet autobusi i Hamburgut, për fat Mërgim Mavraj nuk pëson gjë!

Një tjetër sulm ndaj një autobusi futbolli ndodhi në Gjermani. Këtë herë agresioni ndodhi ndaj autobusit të Hamburgut, ekipit ku luan edhe mbrojtësi i kombëtares, Mërgim Mavraj, por nuk ishte fjala për ngjarje terroriste.

Sulmi u bë nga tifozët e Verderit, ndërsa autobusi mik po shkonte drejt stadiumit për derbin e Gjermanisë së Veriut në qytetin e Bremenit. Sipas lajmeve nga mediat gjermane, autobusi i Hamburgut u godit me shishe dhe tullumbare të mbushura me bojë të gjelbër dhe të bardhë, që janë edhe ngjyrat e skuadrës vendase, Verderit.

Nga sulmi, nuk pati asnjë pasojë, përveç frikësimit të lojtarëve të Hamburgut dhe ngjyrosjes së xhamave të autobusit me bojë. Policia gjermane kishte marrë masa të forta pas sulmit terrorist ndaj autobusit të Dortmundit pak ditë më parë, dhe plot 700 agjentë sigurie ishin në gatishmëri.

Sfidanti.al