Junajtid mund Çelsin, Murinjo ia del më në fund ndaj Kontes!

Liga e Kampionëve ende është e arritshme, ndërsa titulli ende jo i fituar. Me këtë përfundim dolën Mançester Junajtid dhe Çelsi nga sfida e fortë mes tyre në stadiumin “Old Traford”, njohur ndryshe si “Teatri i Ëndrrave”. Fitorja i takoi vendasve me shifrat 2-0, në një duel që u kujtoi mbi 75 000 tifozëve kohët e arta kur trajner ishte Sër Aleks Fergusoni. Nuk duhet të qahen gjithsesi, as tani.

Në stol kanë përsëri një mjeshtër si Zhoze Murinjo, ndonëse portugezi ka hasur vështirësi në sezonin e tij të parë me “djajtë e kuq”. Veçse, jo në këtë ndeshje. Murinjo e kishte sfidën si personale, ndaj kolegut dhe rivalit të tij, Antonio Konte, pas katastrofës që pësoi në ndeshjen e parë në Londër. Çelsi fitoi atëherë 4-0 dhe Konte festoi si i tërbuar, duke e nervozuar shumë Zhozenë.

Hakmarrja u realizua, edhe pse me shifra pak më modeste. Ander Herrera fillimisht shërbeu për sulmuesin e ri, Markush Rashford, ndërsa pas pushimit ishte vetë spanjolli që shënoi golin e dytë. Junajtid ia doli pa Zllatan Ibrahimoviçin, që u aktivizua vetëm 8 minuta përpara fundit të takimit. Suksesi bëri që Mançester Junajtid të ngjitej në kuotën e 60 pikëve, në vendin e gjashtë në renditjen e Premier Ligës, por me një ndeshje më pak se Mançester Siti, dhe dy më pak se Liverpuli.

Pra, Championsi është i arritshëm. Nga ana tjetër, Çelsi mbeti në vetëm 4 pikë diferencë me Totenhemin e vendit të dytë, ndërsa janë për t’u luajtur edhe nga 6 ndeshje prej dy skuadrave kryesuese.

Sfidanti.alman junajtid celsi1