Suarez bën Mesin, Barça çon në ferr Realin dhe Lopetegin: 5-1!

Edhe pritej, por edhe duket tepër e rëndë. Barcelona jo vetëm ia doli të fitonte ndaj Realit, pa e pasur në fushë Lionel Mesin, por edhe arriti një triumf të madh.

Rezultati 5-1, edhe pse mund të kishte qenë i ndryshëm, tregoi gjithë diferencën mes dy ekipeve më të mëdhenj të Spanjës, ndërsa katalanasit i lanë 7 pikë prapa rivalët e tyre kryesorë në renditjen e kampionatit.

Mungesën e Mesit e plotësuan të tjerët, por sidomos Luis Suarez, që e festoi me një tregolësh lindjen e fëmijës së tij të tretë. Uruguajani ishte një shembull në “El Klasiko”, jo vetëm si shënues, por sidomos për karakterin që tregoi në fushë, duke vrapuar nga fillimi deri në fund.

Katalanasit patën epërsi të madhe në pjesën e parë, duke e mbyllur 2-0 me rrjeta të Kutinjos dhe Suarezit me penallti.

Pas pushimit, madrilenët reaguan duke shkurtuar shpejt diferencën me golin e Marselos, dhe duke goditur shtyllën me kroatin Luka Modriç. Gjithsesi, ekipi i trajnerit Lopetegi nuk arriti të bënte më shumë, përballë një Barcelone që e mori veten shpejt.

Golat e Suarezit dhe i fundit i Arturo Vidalit erdhën logjikshëm dhe formacioni i trajnerit Valverde u ngjit sërish në vend të parë në La Liga, me 21 pikë dhe me plot 28 gola të shënuar në 10 javë.

Çfarë po ndodh me Realin? Duket se largimi i Ronaldos dhe i Zidanit kanë shkaktuar tronditje të madhe, dhe klubi më fitues në botë, nuk po gjen një lider për ta udhëhequr.

Trajneri Lopetegi është i dënuar pas kësaj disfate, ndërsa disa nga lojtarët kryesorë janë shumë larg nivelit të tyre. Kapiteni Ramos, Benzema, Varan, Kros, Asensio dhe Bejl ishin për t’u harruar. Reali duket se po vuan gabimet e presidentit Perez që nuk arriti të zëvendësonte Ronaldon me një tjetër kampion të madh.

Barcelona, ndërkaq, duket se është në sezonin e duhur, për të fituar titullin në Spanjë dhe për të synuar Championsin.

Sfidanti.al