Spektakli i PSG-së, prezantimi i Mesit dhe i 4 heronjve të tjerë!

E shtuna e 14 gushtit 2021, ora diçka më pak se 21:00, do të mbetet në historinë e klubit parizien si një ditë krejtësisht e veçantë. Në prag të ndeshjes së dytë të kampionatit francez ndaj Strasburgut në stadiumin “Parku i Princave”, u bë prezantimi i lojtarit më të madh që ka pasur Paris SG në histori, më të madhit të epokës, dhe në konkurrim me Pelenë e Maradonën, më të madhitë të të gjitha kohëve në futboll.

Lionel Mesi doli përpara rreth 50 000 tifozëve, pasi autoritetet lejuan impiantin të mbushur plot. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme dhe prezantimi i argjentinasit sikur la në hije atë të 4 heronjve të tjerë, gjithashtu përforcime të verës, Sergio Ramosit, Gini Vajnaldumit, Xhixho Donarumës dhe Ashraf Hakimit. Besohet se një epokë e re fillon për klubin kryeqytetas, dhe ëndrra e publikut është sidomos fitorja e Championsit.

Sfidanti.al