Disa fjali nga komenti i “Deili Meilit” ishin vërtet mënyra e duhur për të folur për fitoren e të kuqve në fushën e Noruiçit në Premier Ligë. Me tifozët të kthyer 100 për qind në stadiume, në “Karrou Roud” ishin më shumë se 27 000 dhe Jurgen Klop me gjasë ka ëndërruar para fillimit të ndeshjes se çfarë do të ishte një ditë e përsosur. Së pari tri pikët, pastaj që Van Dajk të luante 90’ pas dëmtimit dhe mungesës së gjatë, që Aleksandër-Arnold të tregonte se i kishte lënë hallet në sezonin që mbeti pas, dhe sidomos që të kishte një sulmues që të shkëlqente.
Që të gjitha këto ndodhën, Liverpuli fitoi 3-0 dhe sulmuesi që duhej të shkëlqente ishte Mohamed Salah. Egjiptiani shënoi një gol dhe shërbeu asistet për dy të tjerët të realizuar nga Diogo Zhota e Roberto Firmino. Edhe pse mungesat ishin sërish, sepse Robertson e Henderson nuk ishin gati, sërish “makineria e kuqe” punoi shkëlqyeshëm. “Nuk e patëm të lehtë, – tha Klopi, – por, e gjetëm mënyrën për të fituar. Ishte një paraqitje shumë profesioniste, nuk ishte krejtësisht e përsosur, por jam i kënaqur”.
Sfidanti.al