S’ka qetësi për Realin, presidenti Florentino Perez paska vepruar pas krahëve!

Nuk mjafton kriza që është ulur këmbëkryq. Reali duhet të përballojë edhe probleme të tjera, jashtë fushe, një ditë pas dështimit në Champions ndaj Bryzhit, në barazimin që mund t’i kushtojë eleminimin. Mediat britanike dhe ato spanjolle shkruajnë se presidenti Florentino Perez kishte në plan gjatë verës që të largonte kapitenin Sergio Ramos, dhe se kjo do të bëhej për të kënaqur Zhoze Murinjon, në një kthim të papritur e të jashtëzakonshëm në “Bernabeu”.

Nëse këto lajme kanë bazë, atëherë Perez ka punuar pas krahëve të trajnerit Zinedin Zidan, të cilin e ktheu në stol në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Presidenti nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me Ramosin, dhe disa herë është spekulluar largimi i qendërmbrojtësit, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të rëndësisë së tij në lojën dhe mentalitetin e skuadrës.

Jo vetëm kaq, por lajmet nga Madridi janë që Perezi vendosi veton për marrjen e Pol Pogbasë nga Mançester Junajtidi, ndonëse francezi ishte një nga dëshirat kryesore të Zidanit. U besua se klubi spanjoll bëri gjithçka për të marrë kampionin e botës, dhe u pengua vetëm nga kundërshtimi i anglezëve, por e vërteta mund të jetë ndryshe.

Të gjitha këto mund të ndikojnë edhe më shumë për keq, në një sezon të vështirë. Kritikat kanë qenë të mëdha për trajnerin francez dhe për lojtarët e tij, sidomos për Hazarin. Po ashtu, në shënjestër të tifozëve është vendosur portieri Tibo Kurtua, dhe shumica dërrmuese e tyre duan që titullar të bëhet Areola i ardhur nga Paris SG. Reali ndodhet në krye të renditjes në La Liga, por nuk ka bindur me lojë, ndërsa gjendja në Champions është dramatike.

Sfidanti.al