Lojtari numër 1 i botës mund të mos jetë në fushë, të paktën që nga fillimi, por problemi kryesor për Interin nuk do të jetë ky. Skuadra italiane nuk ka shënuar në stadiumin e Barcelonës që në vitin 1970, ndërsa do të kërkojë rezultat pozitiv në sfidën e sotme në Champions. Lionel Mesi nuk është në 100 për qind të formës dhe trajneri Valverde nuk do të rrezikojë, por edhe Antonio Konte ka minuset e tij.
“Gjigandi” Romelu Lukaku nuk do të jetë në dispozicion pasi pësoi një dëmtim, dhe trajneri zikaltër do t’i besojë dyshes së sulmit të përbërë nga Lautaro Martines dhe Aleksis Sançez. Dy lojtarë shumë të mirë, ndërsa kileni rikthehet në “Kamp Nou” tashmë si kundërshtar. Ai ka qenë lojtar i Barcelonës përpara sesa të shkonte tek Arsenali në Angli, e më pas tek Mançester Junajtidi, ku karriera e tij pësoi një dështim të madh.
Sfidanti.al