Mema në provë te Tirana, klubi do ketë “thyerje note në sjellje” për lojtarët grindavecë!

Nga derbi doli shumë i mërzitur, dhe ishte e kuptueshme. Refik Halili nuk dëshiron të jetë në krye të një klubi që humb vazhdimisht derbin, apo që nuk lufton për titull, dhe presidenti i Tiranës i bëri të qarta ndjenjat e tij menjëherë pas ndeshjes, duke mos përjashtuar vendime drastike.

Pra, çfarë pritet të ndodhë me stolin tek Tirana? Për momentin, asgjë, pasi Ardian Mema do të vazhdojë të jetë trajneri dhe do të drejtojë skuadrën në ndeshjet e ardhshme. Sesa shumë në numër do të jenë këto ndeshje, kjo varet nga rezultatet, siç e pohon vetë Halili, dhe besohet se afati i lënë është 3 ndeshje. Numri 1 i klubit pohoi se ai pret që Mema të ndryshojë gjërat për mirë, dhe që ekipi t’i kthehet fitoreve.

“Nuk dua të largoj trajnerin, – ishin fjalët e tij, – gjithsesi, gjithçka do të varet nga rezultatet në ndeshjet e ardhshme. Do të sqarohemi se cilat kanë qenë gabimet teknike që duhen ndrequr”. Presidenti bardheblu shprehu pakënaqësi edhe për lojtarë të caktuar, ndonëse duke mos i përmendur me emër. Më shumë sesa me paraqitjen ndaj Partizanit, Halili ishte i shqetësuar për sjelljen e futbollistëve në rast se nuk aktivizohen, nga reagimet e tyre, dhe shtoi se do të merren masa, por që do të mbeten në brendësi të klubit.

Pavarësisht momentit të vështirë, kreu tiranas shprehu besimin se gjendja mund të ndryshojë për mirë. Tirana u përforcua ndjeshëm gjatë verës, duke afruar lojtarë me përvojë, ndonëse nuk mungojnë kritikat për dobësi në fazën mbrojtëse.

Sfidanti.al