Mediat gjermane në delir: Bajerni, “Oktoberfest” në Londër!

Çfarë mund të thuhet kur arrin fitoren më të thellë jashtë fushe në të gjitha kohët, në fushën e një rivali kaq të madh? Padyshim që Bajerni duhet cilësuar si një nga pretendentët kryesor për të fituar Championsin, pse jo si favorit, ndërsa mundi 7-2 nënkampionen e Europës, Totenhemin. Përtej diferencës në histori, kampionia e Gjermanisë po ndeshej me një finalist të Ligës së Kampionëve, ndaj edhe suksesi bëri shumë bujë.

Skuadra e trajnerit Niko Kovaç pati katër gola të Serg Gnabrisë, dy të Robert Levandovskit, lojë kolektive pa të sharë, dhe portierin Manuel Nojer në formën e tij më madhështore.  “Oktoberfest në Londër”, titullon gazeta bavareze, “Zydojçe Cajtung”, duke theksuar se Bajerni la pas problemet me një fitore të madhe, ndërsa Gnabri luajti ndeshjen e jetës ndaj ish-rivalëve të derbit.

Tabloidi “Bild” fiksohet pas entuziazmit të pazakontë të Karl-Hajnc Rumeniges, me shefin ekzekutuiv që përgëzoi skuadrën me superlativa pas suksesit. “Bildi” po ashtu theksoi planet e kampionëve të Gjermanisë për t’u përforcuar me Leroi Sanenë dhe yllin e ri të Leverkusenit, Kai Haverc.

Revista sportive “Kiker” veçon Serg Gnabrinë, pas rrjetave të shënuara në Londër. “Këta lojtarë shkruajtën historinë në Champions, – shkruan “Kikeri”, – Gomez, Mesi, Prsho, ndërsa Gnabri bashkohet me elitën, duke shënuar 4 gola në një ndeshje”!

Edhe pse me histori të shquar, Bajerni kishte arritur vetëm dy herë më parë sukses me 5 gola diferencë jashtë Mynihut, madje ndaj ekipet më të dobët se Totenhemi, si Lokomotiva e Moskës apo Sportingu i Lisbonës. A mund të shpresojnë bavarezët të fitojnë Championsin, për herë të parë nga koha Jup Hajnkesit në 2013?

“Është shumë shpejt të bëjmë plane të mëdha, – thotë Kovaç, – nuk ishte e lehtë, edhe pse rezultati flet ndryshe. Për 25 minuta, Totenhemi bëri presion të madh, por Nojeri na mbajti në ndeshje, ndërsa goli i dytë ishte shumë i rëndësishëm. As nuk mund ta kishim ëndërruar këtë fitore. Luajtëm ashtu siç kam menduar dhe siç kam dëshiruar. Përtej meritave kolektive, meritë të veçantë ka Gnabri me golat e tij”.

Në të kundërt, trajneri i Totenhemit, Maurisio Poçetino, është nën presion të madh pas fillimit të dobët të sezonit. “Kjo humbje e thellë u duk si dorëzim, sidomos në minutat e fundit, – tha argjentinasi, – deri në minutën e 82-të ne po luftonim dhe mund të afroheshim në 4-3, por më pas nuk patëm forca. Duket se problemet gjatë sezonit po ndikojnë për keq. Duhej të rrezikonim, por kjo krijoi hapësira për Bajernin”.

Në përfundim të ndeshjes në Londër, bavarezët u kthyen në Mynih dhe nuk mungoi darka tradicionale. Jo më kot Filip Kutinjo është shprehur se Bajerni ka ambientin më familjar që ai ka provuar në karrierë. Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, nuk i kurseu lavdërimet për lojtarët dhe trajnerin Kovaç. Në Mynih tashmë kanë shpresa dhe ëndrra vërtet të mëdha.

Sfidanti.al