Sauthgejt: Na shkoi fjollë pas grupeve, e dija se do ta kishim një pengesë!

Trajneri i Anglisë vlerësoi lart lojtarët e tij që fituan ndeshjen ndaj Danimarkës. Garet Sauthgejt e pati pak të vështirë të gjente fjalët pas një suksesi kaq të madh. “Gjithnjë kam menduar se do të kishim një pengesë, ndërsa na shkoi shumë mbarë gjatë fazës pas grupeve, – tha ai, – Danimarka e tregoi veten sërish një skuadër të madhe, dhe pati mbështetje të madhe nga publiku. E veçantë për grupin tonë të lojtarëve është se ata kanë gjetur gjithnjë mënyrën për të fituar, nuk u trembën nga momenti i vështirë, qendruan të fortë dhe ia dolën. Ishte me shumë rëndësi që patëm tifozët në këto momente”.

Sauthgejti nuk deshi të fliste për penalltinë, ndërsa theksoi se Anglia pati epërsi në fund kur Danimarka sikur u lodh. Ai i bëri një vlerësim special kapitenit danez, Simon Kjer, për lojën e tij, por edhe për atë që bëri me Eriksenin. Përsa i përket finales, Sauthgejti nuk komentoi Italinë, por tha se “lojtarët tanë kanë qenë fantastikë deri tani, por ata e dinë se kanë edhe një hap për të bërë”.

Sfidanti.al