Seti i humbur 0-6 në Uimbëlldon, mos ka “perënduar dielli” për Federerin?!

Mosha nuk punon për të, edhe pse ai vazhdon të jetë i bindur që “t’i bjerë murit me kokë”. Rozher Federer pësoi një humbje të rëndë në Uimbëlldon, e cila i kujtoi se muajin tjetër mbush 40 vjeç. Sado legjendar që të jetë tenisti zviceran, kur përballë vjen një kundërshtar 15 vjet “e kacafiu” më i ri se ty, atëherë bëhet e pamundur. Në gjysmëfinale të Uimbëlldonit do të luajë polaku 24-vjeçar, Hubert Hurkaç, numri 15 në botë, që fitoi 3-0 me sete. Jo vetëm kaq, por pasi mori 6-3 setin e parë dhe 7-6 të dytin, ai fitoi 6-0 të tretin. Kjo është hera e parë që Federer humb me zero një set gjatë gjithë karrierës në Uimbëlldon. Një këmbanë alarmi, por nuk dihet nëse legjenda do ta dëgjojë.

Ai ka 20 Grand Sleme dhe mbetet rekordmen bashkë me Nadalin, ndërsa atyre mund t’u bashkohet Novak Gjokoviç. Federer luan për trashëgiminë e tij, për emrin dhe lavdinë që do të lerë pas. Edhe pse nuk ia prek dot kurorën si tenisti që luan tenisin më të bukur në botë, statistikat po i kthehen kundër. Këtë vit duhej të rikuperohej nga dy operacione në gju, ndërsa ka vetëm 1 muaj që është kthyer në fushë. Me 103 tituj në karrierë, i dyti në epokën moderne, me 8 Uimbëlldone, 6 Australian Open, 5 US Open dhe 1 Rolan Garos, po ashtu me 6 Finale të Turneve të Mëdhenj, Federer është i jashtëzakonshëm. Ashtu si me 130 milionë USD të fituar në karrierë, i dyti pas Gjokoviçit.

Sfidanti.al