Rrëzohet apeli i Barcelonës, Nejmar rrezikon burgun në Spanjë

Nuk dihet nëse do të përfundojë prapa hekurave, por rreziku ekziston. Barcelona ka një telash edhe më të madh sesa vërshëllimat për trajnerin Luis Enrike apo mosfestimi i golave nga Mesi. Nejmar rrezikon dy vjet burg, pasi u hodh poshtë apeli i bërë nga klubi dhe nga sulmuesi, pas dënimit për korrupsion.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë në Madrid dhe ka lidhje me transferimin e Nejmarit nga Santosi tek Barcelona disa vjet më parë. Braziliani rrezikon dy vitet burg së bashku me familjarët e tij, dhe përveç kësaj mund të dënohet me 10 milionë euro gjobë.

Procesi filloi pas denoncimit të bërë nga agjencia braziliane DIS, që zotëronte 40 për qind të të drejtave të Nejmarit. Kur u bë zyrtarizimi i transferimit, Barça deklaroi se shpenzoi 57.1 milionë euro, por hetimet e bëra më pas zbuluan se shuma kishte qenë 83.8 milionë, duke sjellë shmangie nga taksat.

Sfidanti.al