Ronaldo e Ramos; “Der Shpigel”, “armiku publik” Nr. 1 i Realit!

Ishte revista “Der Shpigel” që botoi historinë e bujshme të përdhunimit të dyshuar, të kryer nga Kristiano Ronaldo në SHBA. Është sërish kjo media gjermane që publikon një tjetër skandal të dyshuar, atë të daljes pozitiv me doping të Sergio Ramosit në finalen e Championsit në 2017 ndaj Juventusit.

“Der Shpigel” shkruan se kapiteni i Realit doli pozitiv për deksametazon, pas analizës së urinës, por kjo gjë u fsheh nga UEFA, në mënyrë të pabesueshme dhe skandaloze. Revista i referohet dokumentave të siguruara nga “Futboll Liks” (Football Leaks – Rrjedhjet e Futbollit), një lloj Uikiliksi (Ëikileaks) sportiv. Reali u përgjigj duke mohuar kategorikisht që Ramosi të kishte shkelur rregullat për dopingun.

Gjithsesi, ky mohim nuk e largon hijen e skandalit nga klubi më i madh i botës, ndërsa “vjedhësit kibernetikë” (hakerat) thonë se kanë siguruar dokumente të fshehta të UEFA-s. Sipas tyre, deksametazoni, mund të lejohet vetëm nëse UEFA informohet që më përpara, gjë që nuk ndodhi në 2017.

“Asnjë masë nuk u mor ndaj lojtarit, apo mjekut të Realit, pavarësisht nga skandali, – shkruan “Der Shpigeli”, – mënyra sesi UEFA e fshehu këtë rast, tregon sabotimin e luftës ndaj dopingut në futbollin e nivelit më të lartë europian”.

Pas këtyre publikimeve, me siguri revista gjermane është kthyer në “armikun publik numër 1” për Realin. Në të kaluarën, klubi madrilen ka pasur skandale të tjera të dyshuara, siç ndodhi në 2015, kur një ndihmësgjyqtar deklaroi në kushte anonimiteti se ishte porositur nga Federata të arbitronte në favor të Realit, në El Klasikon ndaj Barcelonës.

Skandalet ishin më të mëdha në kohën e Frankos (në foto), siç ndodhi në finalet e Kupës së Spanjës (sot të Mbretit) në 1943, kur Barcelona fitoi 3-0 ndeshjen e parë, por humbi 1-11 të dytën pas atij që u quajt presion i regjimit.

Sfidanti.al