Basketbolli është sport më “diktatorial” sesa futbolli, pasi i vogli ka shumë më pak shanse që të mundë të fortin. Nëse në futboll, taktika i bën 11 të vegjël që të krijojnë një kolektiv të fortë, në basketboll janë veçse 5 lojtarë në parket, shumë e vështirë për të thyer hegjemonitë.
Gjithsesi, mrekullitë ndodhin dhe kjo ngjau edhe në mbrëmjen e së premtes, kur Buduçnosti i Podgoricës mundi superfuqinë më të pasur të Euroligës, CSKA-në e Moskës. Në Pallatin e Sportit “Moraça”, në kryeqytetin e Malit të Zi, Buduçnosti (“Ardhmëria” në shqip) ia doli 93-92 më frymën e fundit, duke ngritur peshë mbi 5 000 tifozë të pranishëm.
E gjithë Europa u habit nga ajo që ndodhi buzë Moraçës, pasi CSKA e Moskës ka buxhet 41 milionë euro (numri 1 në Euroligë), ndërsa Buduçnosti vetëm 5 milionë, më pak se gjithë pjesëmarrësit. Sidoqoftë, paratë nuk u morën aspak parasysh dhe malazezët u mbështetën tek tre amerikanët (Ërl Klark, Koti Klark, Eduin Xhekson), por edhe tek lojtarë vendas si Danilo Nikoliç, Nikola Ivanoviç, Nemanja Gordiç, Alen Omiç apo Suad Shehoviç.
Buduçnosti bëri vjet historinë duke fituar Ligën ABA, një version i Ligës Federale të ish-Jugosllavisë, me pjesëmarrje të skuadrave serbe, kroate, boshnjake, sllovene, maqedonase apo malazeze, dhe duke u rikthyer në Euroligës pas 15 vitesh.
Sfidanti.al