Liliam Turam është një ish-juventin me lëkurë “me ngjyrë”, dhe nuk e kurseu një juventin të sotëm me lëkurën “pa ngjyrë”, Leonardo Bonuçin. Ish-mbrojtësi i famshëm i Francës theksoi se “fjalët e Bonuçit janë thjesht pasqyrim i asaj që shumë njerëz e mendojnë, pra që zezakët e meritojnë atë që iu ndodh”. Turam mori si shembull lojtarë të tjerë që kanë marrë ofendime raciste që nga Mario Baloteli e deri tek Jaja Ture.
Padyshim, racizmi ka vend të rëndësishëm në stadiumet e futbollit, ndonëse faktet nuk janë që është mbizotërues. Dihet se më shumë racistë janë ata që quhen tifozë më fanatikë, ultrasit, dhe kjo është sjellja më e natyrshme për një fanatik. Gjithsesi, a nuk ka këtu një paradoks, një kontradiktë, sepse parimi është që futbolli, ashtu si gjithë sporti, i bashkon njerëzit, dhe nuk i ndan?!
E vërteta është që futbolli dhe sporti kanë bërë që njerëzit të jenë sot më të bashkuar dhe më pak të ndarë sesa kur nuk ekzistonin, ashtu siç edhe tregtia apo turizmi i bënë miq, armiqtë e dikurshëm. Ato që po ndodhin sot me Moize Kinin e të tjerët në Europë, nuk janë “tradita” thjesht europiane, por ekzistojnë thuajse në çdo cep të botës. Pak besohet që në Kinë, në Rusi, në Indi apo në vendet arabe, të mos ketë racizëm nëpër stadiume, dhe kundrejt njerëzve të racave apo besimeve të tjera.
Turam, gjithsesi, ka të drejtë kur thotë se Moize Kin reagoi siç duhet përballë ofendimeve, duke mos i toleruar. “Racistët duan që ne të ulim kokën, por kjo nuk duhet të ndodhë”, – tha Turam, një lojtar që i dha lavdi vetes, Francës dhe Juventusit, gjatë karrierës së tij. Po ashtu, kritika e tij e ashpër për Bonuçin ishte e drejtë, duke i bërë pyetjen e drejtpërdrejtë. “Le të thotë Bonuçi se çfarë bëri Kin për të merituar atë që i ndodhi?, – u shpreh francezi, – ai kurrë nuk u tha tifozëve që e shkelën, por ndaj Kinit e bëri këtë gjë”.
Sfidanti.al