Qesh Jurgen Klop: Junajtid, ëndrra ime? Jam i çmendur, por jo kaq!

Nuk mund të ketë kompromentim më të madh për një trajner të Liverpulit sesa të mësohet se ëndrra e tij ka qenë të drejtojë Mançester Junajtidin. Kjo po i ndodh Jurgen Klopit, të paktën sipas lajmeve që japin mediat britanike dhe gjermane, sikur ai ka qenë gati të ulej në stolin e “djajve të kuq”, me bekimin e Sër Aleks Fergusonit. Patjetër, që gazetarët do ta pyesnin gjermanin simpatik, dhe padyshim që ai do të jepte një përgjigje “si ato të tijat”.

“Si, si? – tha ai në formë pyetjeje, – Junajtid, ëndrra ime? Unë e di se njerëzit më marrin pak për të çmendur, por unë nuk jam i çmendur deri në këtë shkallë”. Më pas, Klop sqaroi se “Ekhard Kraucun, që i ka thënë këto fjalë, ka qenë një admirues i madh i Sër Aleksit, gjithsesi, në këtë botë ka shumë histori gazmore, por vetëm pak prej tyre kanë si bazë të vërtetën”.

Kraucun ka qenë trajner i Klopit tek Mainci, shumë e shumë vite më parë, kur ende ai luante futboll. “Si mundesha unë, një lojtar tepër mesatar tek Mainci, t’i thoja trajnerit tim se nëse një ditë do të bëhesha trajner, do të ëndërroja të drejtoja Mançester Junajtidin”, – përfundoi Jurgen Klopi.

Sfidanti.al