Robert Levandovski ka një peng në mendjen e tij. Sulmuesi polak mendon se sezonin e kaluar i shpëtoi kot nga duart trofeu më i madh i klubeve në Europë, Championsi. Në një intervistë për mediat amerikane (ESPN), futbollisti i Bajernit e quan fat të keq dëmtimin e tij përpara dueleve me Realin e Madridit, dhe sipas tij ky dëmtim nuk e lejoi të ishte në formën e tij më të mirë. “Nëse nuk do të kishte qenë dëmtimi, unë do të kisha qenë në 100 për qind të formës dhe do të kishte qenë më e mundshme që ta kishim eleminuar Realin, – tha Levandovski, – pas eleminimit të Realit, do të kishte qenë më e thjeshtë të fitohej trofeu”. Bajerni i Ançelotit luftoi fort me Realin e Zidanit, por u eleminua pas kohës shtesë në Madrid. Këtë sezon, tek bavarezët ka ardhur sërish Jup Hajnkes, dhe Levandovski beson se mund të fitohet Championsi, por edhe Bundesliga, ndonëse Bajerni është 5 pikë prapa Dortmundit.
Sfidanti.al