Premtimi ishte që nuk do të dorëzoheshin pa luftuar deri në fund. Kjo ishte deklarata e trajnerit Pep Guardiola, dhe kështu bënë edhe të besuarit e tij, duke reaguar pas dy humbjeve radhazi në Premier Ligë.
Mançester Siti ia doli 3-1 në stadiumin e Sauthemptonit, “Shën Mëria”, dhe padyshim mund të quhen të rikthyer në garë për titullin. Në një sfidë delikate, nën presion tepër të madh, kampionët në fuqi treguar përvojën, por edhe cilësinë e tyre të lartë.
Përballë një kundërshtari që dëshironte pikë me patjetër, Siti ia doli të impononte stilin e tij, me qarkullimin e njohur të topit dhe me pasimet e shpejta. Një plus i madh ishte rikthimi i lojtarit kryesor të mesfushës, Fernandinjo, që organizoi gjithçka.
David Silva kaloi ekipin e Guardiolës në epërsi, por vendasit reaguan shpejt, duke barazuar me anë të suedezit Hojbjerg, pas një gabimi të mbrojtjes. Gjithsesi, kampionët nuk deshën të diskutonin asgjë, dhe mbyllën llogaritë që në pjesën e parë. Fillimisht, Uord-Prause shkaktoi autogol, nën presionin e Rahim Stërlingut.
Ishte minuta e fundit para pushimit, për Siti pati kohë të realizonte edhe të tretin me anë të rekordmenit Sergio Aguero. Pas pushimit, miqtë kontrolluan ndeshjen, duke mos refuzuar të jepnin spektakël.
A mund të thuhet se shpresa u rikthye për Guardiolën dhe djemtë e tij? Diferenca me Liverpulin kryesues është 7 pikë, jo gjë e vogël, por aspak e pamundur për t’u arritur. Gjithsesi, shumëçka do të varet nga dueli i madh i së enjtes së ardhshme, kur Mançester Siti e pret Liverpulin në shtëpi.
Sfidanti.al