Pol Poga duket sikur thotë: Junajtid, do të më njohësh tani!

“Deili Meil” pati një fjali domethënëse në komentin e ndeshjes Mançester Junajtid-Hadërsfild. “Besimi është diçka që jo domosdoshmërisht thuhet me fjalë, por më së shumti me vepra”. Kjo ishte karakteristika e paraqitjes së Pol Pogbasë, në ndeshjen e tij të parë në “Old Traford” pa Zhoze Murinjon si trajner.

Mesfushori francez, i shkëlqyer me Francën dhe po i tillë kur ishte tek Juventusi, shënoi dy gola në suksesin 3-1, dhe u duk sikur tha: “Mançester, do të më njohësh më në fund se kush jam”. Deri tani, të kuptohemi, ishte efekti “Murinjo” që e pengoi, me zënkat e shumta, dhe i lënë shpesh herë në stol.

Me trajnerin e ri, Ole Gunar Solskjer, po luan me qejf, i pakushtëzuar dhe po tregon klasin e tij. Goli i dytë, nga 25 metra larg dhe me gjuajtje nga vendi, ishte dëshmi e potencialit të madh që ka ky futbollist. Natyrisht, dy ndeshje janë tepër pak për të thënë se Pogba është ai profesionisti që duan të shohin të gjithë. Edhe Solskjeri nuk mund të fluturojë me dy fitore në 2 ndeshje, por gjithsesi, Junajtidi ka nisur të ngjisë shkallët në renditje, dhe të shënojë gola.

Me 32 pikë, është në vendin e gjashtë, dhe zona Champions nuk duket më një “mirazh”. Po ashtu 37 gola deri tani, nuk janë tepër larg atyre të Liverpulit, Totenhemit, Arsenalit apo Çelsit.

Sfidanti.al