Nëse duhej një fitore për të treguar ambicien, kjo ishte e tillë. Ndaj kampionëve në fuqi të NBA-së, në fushën e këtyre të fundit, me 26 pikë epërsi, dhe madje me yllin kryesor të dëmtuar që në pjesën e tretë.
Los Anxhelos Lejkërsat nuk janë ende skuadra më e mirë e basketbollit amerikan, por suksesi në Arenën e Golden Stejtit tregoi se kanë shanse që të bëhen të tillë. Në derbin e Kalifornisë, luajtur pikërisht në mbrëmjen e Krishtlindjeve, Liqenasit i vunë përballë yjeve vendas, disa talente të rinj dhe disa basketbollistë të konfirmuar.
Lebron Xhejms nuk shënoi shumë, vetëm 17 pikë, por luajti pak për standardet e tij. Pas 21 minutash e 15 sekondash u dëmtua dhe doli nga parketi, ndërsa Lejkërsat janë të shqetësuar për fatin e tij. Xhejmsi shtoi edhe 13 topa në tabela, 5 asistë dhe një vjedhje topi, duke dhënë shembullin personal, ndërsa pas daljes së tij, skuadra bëri detyrën duke mos u dorëzuar.
Të rinjtë si Kajl Kuzma, Ivica Zubac, Brandon Ingram apo Xhosh Hart përballuan supertalentin e Golden Stejtit, duke arritur një fitore të madhe.
Nuk ishte mbrëmja e duhur për yjet e Luftëtarëve, ndonëse luajtën mbi 36 minuta secili. Kevin Duranti shënoi vetëm 21 pikë, ndërsa Stefën Kërri edhe më pak, 15. Po ashtu, Klej Tompson e Drejmond Grin u paraqitën mjaft dobët, dhe Golden Stejti duket se e nënvleftësoi kundërshtarin, duke e paguar shtrenjtë, me disfatën 101-127.
Kampionët janë ende më mirë në renditje sesa Lejkërsat, por kjo humbje ishte një paralajmërim sesa e vështirë do të jetë të mbrohet titulli.
Sfidanti.al