“E ka kush e ka me Shkurtajn”, Luftëtari pret “xhekpotin”!

Lojtari më i kërkuar në Superligë për momentin. I tillë Vasil Shkurtaj, por duket se as një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit nuk mund të quhet i lumtur. Luftëtari ka rënë dakord që 25-vjeçari të shkojë te Kukësi, dhe kjo për shkak se klubi verior ka rënë dakord të paguajë një shumë të rëndësishme për kartonin.

Shifra zyrtare nuk ka, por besohet se në total kuksianët do të japin 130 000 euro për dy lojtarë, Shkurtajn dhe Rrocën, me pjesën më të madhe të kësaj shifre, që i takon kartonit të sulmuesit. Futbollisti dëshiron të shkojë tek Partizani, veçse mesa mësohet kryeqytetasit nuk duan të paguajnë kaq shumë sa presidenti Gjici. Burime pranë lojtarit bëjnë me dijë se ai ka rritur pretendimet për pagën, në mënyrë që të fitojë kohë, dhe po ashtu që nga kontrata e propozuar të hiqen disa klauzola që ai mendon se e penalizojnë.

As për rrogën nuk ka shifra zyrtare, veçse mësohet se Kukësi ofron 6 milionë lekë të vjetër, ndërsa sulmuesi kërkon 50 për qind më shumë. Shkurtaj ka edhe 1 vit e gjysmë kontratë me Luftëtarin, dhe klubi gjirokastrit dëshiron të përfitojë, duke qenë në gjendje të vështirë financiare. Për momentin, burime në klub pohojnë se lojtarët kanë 2 muaj e gjysmë pa u paguar.

Presidenti Tavo synon të fitojë kohë, pasi pret të arkëtojë jo pak. Plot 180 000 euro do të vijnë nga Anderlehti për kartonin e Kristal Abazajt, 90 000 euro janë detyrim nga Federata për të drejtën televizive, ndërsa pjesëmarrja në Ligën e Europës solli rreth 200 000 euro fitim. Nëse llogarit edhe buxhetin e bashkisë prej rreth 300 milionë lekësh të vjetër, atëherë Luftëtari pritet të jetë në pozita më të mira në 2019.

Sfidanti.al