Nuk e pati përballë në fitoren e famshme të Shqipërisë në Portugali. Ishin sy në sy, kur portugezët na vizituan në “Elbasan Arena” dhe nuk pësoi gol prej tij, por gjithsesi Kristiano Ronaldo nuk mund të mohohet gjithnjë. Ylli më i madh i Serisë A u tregua vendimtar në ndeshjen Atalanta-Juventus, pavarësisht nga përpjekjet e Etrit Berishës. Skuadra vendase ishte në epërsi 2-1, madje edhe në epërsi numerike pasi Betankur doli me të kuqe, por Alegri pati “asin nën mëngë”, Ronaldon që e hodhi në fushë si zëvendësues.
CR7-ta hyri në minutën e 65-të dhe realizoi me një gjuajtje me kokë në minutën 78-të. Alegri nuk kishte në plan ta aktivizonte numrin 7, por u detyrua, ndërsa kampionët u ndalën në barazim për herë të dytë në këtë sezon të Serisë A. Ata kryesojnë me 50 pikë në 18 ndeshje, në një kampionat ku Ronaldo ka shënuar 12 gola në 18 ndeshje të luajtura. Poshtë mesatares që kishte tek Reali, por gjithsesi mirë. “Ishte një rezultat pozitiv ndaj një rivali të fortë, – tha Alegri më pas, – patëm meritën që nuk u dorëzuam kur mbetëm me 10 vetë, por jam i mërzitur pasi doja që të fitonim”.
Sfidanti.al