Katër gola në portën e skuadrës së ish-trajnerit të tyre të shquar, dhe 6 pikë larg vendit të dytë. Këto ishin “të korrat” e Liverpulit pas ndeshjeve të “Ditës së Kutive Bosh”, menjëherë pas Krishtlindjeve. Rafael Benitez, njeriu që udhëhoqi Liverpulin drejt fitores së Championsit në 2005, u detyrua të pranonte një humbje të rënë në stolin e Njukasëllit, duke e ditur mirë sesa e rëndësishme është për të kuqtë të fitojnë më në fund titullin kampion në Angli. Me Benitezin iu afruan shumë në vitin 2009, por nuk ia dolën përballë Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit.
Gjithnjë e më shumë po krijohet bindja se ky është sezoni i duhur, dhe kjo jo vetëm sepse Liverpuli ka 51 pikë, dhe asnjë humbje në 19 ndeshje, por edhe sepse kampioni në fuqi dhe favoriti deri tani, Mançester Siti i Guardiolës, pësoi humbjen e dytë radhazi. Leisteri përmbysi rezultatin nga 0-1 në 2-1, duke i lënë “Qytetarët” në vendin e tretë. i dyti u ngjit Totenhemi me fitoren e thellë, 5-0, në “Uembli” ndaj Bornmuthit.
Dejan Lovren kaloi “redsat” në epërsi në minutën e 11-të, pastaj Mohamed Salah fitoi penallti dhe e ktheu vetë në gol, në 48’, ndërsa Xherdan Shaqiri realizoi golin e tretë 11 minuta para fundit. “Bombardimin” e mbylli Fabinjo, në 89’.
Mançester Junajtid ishte skuadra tjetër pozitive e javës, duke arritur fitoren e dytë radhazi nën drejtimin e trajnerit Solskjer, 3-1 ndaj Hadërsfildit në “Old Traford”. Nemanja Matiç shënoi i pari, pastaj i shumëdiskutuari Pol Pogba shtoi dy gola.
Liverpuli kryeson Premier Ligën me 51 pikë, ndaj 46 të Totenhemit dhe 44 të Mançester Sitit.
Sfidanti.al