Paraqitja e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes për të rritur, që po zhvillohet në Kinë, vazhdon të jetë zhgënjyese. Pas Briken Caljes, i cili u tërhoq një ditë më parë për shkak të dëmtimit, këtë herë nuk ka arritur të lërë gjurmë as Erkand Qerimaj.
Shtangisti shkodran u ngjit në pedanë për të konkurruar në baterinë B të kategorisë 75 kilogramë, por nuk arriti të regjistronte asnjë rezultat. Në stilin e shkëputjes, Qerimaj dështoi në të tria tentativat për të ngritur peshën 147 kilogramë, duke mbetur jashtë renditjes.
Pas këtij rezultati, sportisti shqiptar vendosi të mos vazhdonte garën në stilin e shtytjes, duke u tërhequr përfundimisht nga aktiviteti. Në këtë mënyrë, ai e mbylli Botërorin pa rezultat në dygarësh.

