Nuk ka asnjë të sharë për rezultatet. Pavarësisht nga dështimi në Champions edicionin e kaluar, sërish Ernesto Valverde realizoi objektivat në vitin e parë në detyrë tek Barcelona. Trajneri fitoi titullin kampion në Spanjë, dhe po ashtu Kupën e Mbretit, ndërsa këtë sezon ndodhet sërish në vendin e parë në La Liga, dhe në plotësisht në konkurrim për çdo titull.
Gjithsesi, kjo nuk ka mjaftuar që e ardhmja e tij të jetë e qartë. I ardhur në klub verën e vitit 2017, pas largimit të Luis Enrikes, Valverde nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimi për një vit tjetër. Puna e tij ishte shumë e mirë që ditët e para në “Kamp Nou”, por sidoqoftë nuk ka asnjë sinjal që do të aktivizohet klauzola në kontratë për rinovim.
Vetë tekniku sikur i ka shtuar dyshimet për të ardhmen, me përgjigjet që ka dhënë, kur është pyetur për këtë çështje. “Ne trajnerët jemi gjithnjë në lëvizje, – është shprehur ai, – ne jetojmë ditë pas dite, dhe javë pas jave”.
Privatisht, mësohet se Valverde është takuar me drejtuesit sportivë të klubit, por ka diskutuar për të marrë një qendërmbrojtës në janar, dhe jo për rinovimin e kontratës. Nuk është e qartë se përse Barcelona nuk thotë hapur nëse trajneri do të vazhdojë deri në 2020 apo jo.
I vetmi sqarim ka ardhur disa muaj më parë nga presidenti Bartomeu, se nëse Valverde largohet në 2019, duhet të paguajë një dëmshpërblim. Me shumë gjasë, as klubi dhe as trajneri nuk janë plotësisht të bindur se projekti duhet të vazhdojë.
Sfidanti.al