Kristian Shpendi po kalon një formë të shkëlqyer me Çezenën. Sulmuesi shqiptar është shpallur “Lojtari i Muajit” për shtatorin në Serinë B italiane, pas paraqitjeve mbresëlënëse dhe golave të rëndësishëm me fanellën bardhezi. Kristian Shpendi po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga sulmuesit më produktivë të Serisë B. Futbollisti shqiptar i Çezenës ka marrë një tjetër vlerësim për paraqitjet e tij, duke u shpallur lojtari më i mirë i muajit shtator në kampionatin italian.
Sipas të dhënave të kompanisë statistikore Opta, Shpendi realizoi katër gola gjatë muajit shtator, duke u renditur mes sulmuesve më produktivë në Evropë. Në kampionatet kryesore evropiane dhe kategoritë e dyta përkatëse, vetëm emra si Rafinha dhe Lamine Yamal arritën të shënonin më shumë gjatë kësaj periudhe. Sezoni ka nisur në mënyrë mbresëlënëse për sulmuesin 23-vjeçar. Shpendi realizoi gjashtë gola në pesë ndeshjet e para të kampionatit, duke barazuar një rekord historik të Çezenës, që daton nga sezoni 1949-1950.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm te forma e këtij sezoni. Me 54 gola të shënuar në total me fanellën e klubit bardhezi, sulmuesi shqiptar është ngjitur mes golashënuesve më të mirë në historinë e Çezenës, duke forcuar edhe më shumë statusin e tij në skuadër.

