“Druri ka dalë nga xheneti” thotë populli, dhe në një mënyrë figurative kjo fjalë e urtë vërtetohet gjithnjë e më shumë. Yjet e Formula 1 nisën menjëherë të dënonin racizmin, pasi kampioni i botës, Ljuis Hamilton, i fshikulloi keq për heshtjen e tyre. Një ditë më parë, anglezi 35-vjeçar postoi në rrjetet sociale fjalë të ashpra ndaj kolegëve, që të gjithë të bardhë, që nuk po tregoheshin të ndjeshëm pas vdekjes së Xhorxh Flojdit në duart e një oficeri të policisë amerikane.
Kritika bëri efekt dhe pilotët e Formula 1 nisën të reagonin. Daniel Riçiardo, Sharl Lëklerk, Lando Norris ishin nga ata që postuan mesazhe në rrjetet sociale duke sulmuar dhunën e policisë në SHBA dhe racizmin. Hamiltoni bëri një tjetër deklarim, duke u shprehur se ai nuk mbështet dhunën dhe djegiet, por protestat paqësore, ndonëse shtoi se “nuk do të ketë paqe nëse këta të ashtuquajturit liderë nuk do të ndryshojnë”. Anglezi u shpreh se racizmi nuk është problem vetëm në SHBA, por edhe në Britaninë e Bashkuar, në Spanjë, Itali apo kudo tjetër.
Sfidanti.al