Peshiçi i madh ringjall Barçën, fiton El Klasikon me Realin në Kupë

Svetislav Peshiç është një emër i madh i basketbollit. Fitues i Euroligës me Barcelonën në 2003, kampion i botës me Jugosllavinë në 2002, kampion i Europës dy herë me Gjermaninë në 1993 e me Jugosllavinë në 2001, kampion i botës për U17 me Jugosllavinë në 1987 (me brezin e Kukoçit, Divacit, Raxhës, Pecarskit, Xhorxheviçit) dhe kampion i Europës për të rinjtë në 1985.

Dora e këtij trajneri të madh u ndje menjëherë tek Barcelona, me t’u kthyer në krye të ekipit. Katalanasit fituan Kupën e Mbretit, pas finales tepër emocionuese ndaj Realit të Madridit. “El Klasiko” e koshit u fitua 92-90, ndonëse u rrezikua të humbej në fund. Barça kryesoi edhe me +17 pikë, por Madridi reagoi fort në periodën e katërt. Gjithsesi, madrilenët nuk e fituan dot kupën e pestë radhazi, ndërsa Peshiç i shtoi edhe një trofe karrierës së tij të shkëlqyer.

Trajneri serb i lindur ne Novi Sad, ka dalë kampion i Jugosllavisë së lojtar, ka fituar Euroligën (Kupën e kampionëve) po si lojtar, ndërsa si trajner ka fituar kampionatin e kupën jugosllave, pesë herë kampionatin gjerman, dy herë kampionatin spanjoll, ka fituar Kupën Koraç dhe Eurokupën e FIBA-s, ndërsa ka edhe suksese të tjera.

Sfidanti.al