Përse Gjokoviçi nuk bëri jetë nate me Qiriosin? Epo, ishte përvjetori i martesës!

Kanë kaluar 8 vjet që nga 10 korriku i 2014-ës kur një çift vendosi ta bënte dasmën në ishullin e vogël e të famshëm të Shën Stefanit në Mal të Zi. Ky çift ishte Novak Gjokoviç dhe Jelena Ristiç (që më pas mori mbiemrin e të shoqit), që kurorëzuan lidhjen e tyre që prej 2005-ës dhe fejesën e celebruar në 2013. Kjo datë u kujtua bukur mirë pas finales së Uimbëlldonit që Nole e fitoi ndaj Nik Qiriosit nga Australia, pasi e diela e djeshme ishte pikërisht 10 korriku. Spikerja që intervistoi Novakun pas fitores 3-1 i kujtoi pikërisht këtë gjë, dhe tenisti serb duke qeshur e duke bërë shaka tha se “ti po m’i kujton të gjitha këto gjëra të rëndësishme, që nëse i harroj do të qortohem nga gruaja ime”. Me gjasë, pikërisht ky përvjetor martese, por edhe detyrimi për të festuar me familjen një sukses kaq të madh bëri që Gjokoviçi ta shtynte jetën e natës që kishin planifikuar me finalistin me origjinë greke. Nole theksoi se kjo do të ndodhte një ditë tjetër, ndërsa e vlerësoi lart rivalin duke i thënë me siguri të plotë se “ti do të kthehesh sërish këtu”.

Sfidanti.al