Janë tashmë 3 barazime në 5 ndeshje në kampionat, deri tani. Aspak një bilanc i një skuadre që pritet të pretendojë për titullin, ndonëse duhet thënë se është vetëm fillimi. Gjithsesi, Juventusi i Masimiliano Alegrit u shfaq sërish në rolin e “memecit” në stadiumin “Artemio Franki” të Firences. Edhe pse në fushë u kthye Di Maria, dhe u aktivizuan Paredes, Kostiç, Bremer e Milik, “Zonja e Vjetër” ishte sërish e shëmtuar, duke gjuajtur shumë pak e duke sulmuar pak, aq sa edhe një gol i Milikut u duk shumë. Kritikat për lojën e piemontezëve ishin të mëdha, dhe kuptohet ishin për trajnerin Alegri, ndërsa më i miri në fushë ishte portieri Perin që ndaloi penalltinë e Joviçit në fund të pjesës së parë, dhe nuk lejoi golin e Fiorentinës dy minuta para fundit të ndeshjes. Në më shumë se 90 minuta, Juventusi gjuajti vetëm 1 herë në portën e Fiorentinës, ndaj plot 11 provave të vendasve! Siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, “pjesa e dytë u luajt si skuadër provinciale”, ndërsa kritika tjetër ishte që Vlahoviç u mbajt gjatë gjithë ndeshjes në stol!
Sfidanti.al