Egnatia ka dhënë një përditësim mbi gjendjen e mbrojtësit Eljon Sota, i cili pësoi një dëmtim të rëndë gjatë ndeshjes së kampionatit kundër Teutës. Klubi rrogozhinas ka bërë të ditur se futbollisti i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në Barcelonë dhe tashmë ka nisur fazën e parë të rehabilitimit.
Dëmtimi ndodhi në zonën e kyçit të këmbës dhe shoqërohej me frakturë të fibulës, kockës së vogël të kërcirit. Për shkak të natyrës së dëmtimit, Sota do të qëndrojë për një periudhë të gjatë larg fushave të lojës.
Sipas njoftimit të Egnatias, mbrojtësi do të qëndrojë edhe për dy javët e ardhshme në Barcelonë, ku do të ndjekë fazën fillestare të rikuperimit pas operacionit, nën mbikëqyrjen e specialistëve mjekësorë. Më pas, rehabilitimi do të vijojë në Shqipëri, në përputhje me protokollin e përcaktuar nga stafi mjekësor.

