Fundi ishte afër, por ndoshta ajo nuk e mendonte se do të mbërrinte. Tenisi botëror humbi yllin më të madh të tij, pasi Serena Uilliams u eliminua në raundin e dytë të US Openit në Nju Jork. Legjenda amerikane kishte deklaruar se Grand Slemi në Flashing Midous do të ishte turneu i fundit në karrierën e saj, dhe kështu do të ndodhë. Humbja me australianen me origjinë kroate, Ajla Tomljanoviç, i dha fund një historie që filloi 27 vjet më parë, kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. Tomljanoviç fitoi 2-1 dhe me rezultatin e seteve, 7-6, 6-7 e 61, ndërsa Serena nuk mundi të përsëriste përmbysjen që bëri ndaj numrit 2 të botës, estonezen Kontaveit.
“Ishte një atmosferë e mrekullueshme, – tha Serena, – sërish një publik i madh. Unë bëra gjithçka, ndoshta mund të kisha luajtur pak më mirë. Faleminderit babi. E di se je duke më ndjekur. Faleminderit mami. Oh, e kam vështirë që të flas. Dua thjesht të falenderoj këdo që është këtu dhe që më ka mbështetur për kaq shumë vjet, për dekada. Gjithsesi, gjithçka nisi me prindërit e mi dhe ata meritojnë gjithçka, ndaj u jam shumë mirënjohëse”.
Vajza e lindur në Miçigen po largohet nga tenisi në moshën 40-vjeçare si një legjendë e vërtetë. Serena fitoi 23 Grand Sleme, mes të cilëve 7 në Uimbëlldon dhe 7 në Australian Open, si dhe iu afrua shifrës 100 milionë USD fitime nga sporti, numri 1 në histori. Kampionia e madhe amerikane nuk e barazoi dot rekordin e australianes Margaret Kërt, me 24 Grand Sleme, por do të mbahet mend si një nga yjet më të mëdhenj të tenisit, ashtu si Kërt, Stefi Graf apo Martina Navratilova.
Sfidanti.al